Debati mbi marrëdhënien e Arkitekturës dhe Politikës (ose ndërtesave me pushtetin) është i kahershëm. Kryesisht, është politika ajo që ndikon në arkitekturë, dhe si rrjedhojë arkitektura është në shërbim të politikës. Arkitektët janë pjesë përbërëse e strukturës së pushtetit duke ofruar shërbime për ata të cilët materializojnë modelin e ndërtesave kulturorë që arkitektët projektojnë. Studiues të shumtë kanë paraqitur një numër të madh ndërtesash dhe objektesh të cilat interpretohen si shembuj tipik të përfaqësimit të pushtetit, duke argumentuar se
arkitektura e prodhuar nën çdo sistem politik pasqyron vlerat dhe ideologjinë e regjimit politik (Ostwald, 2007: 9). Lidhja midis sistemeve politike dhe artefakteve arkitektonike të prodhuara nën tutelën e tyre është më e dukshme
në një regjim më ideologjik dhe totalitar, si përshëmbull socializmi apo fashizmi, sesa në sistemet politike bashkëkohore ku pesha ideologjike ose është zhvendosur drejt qëllimeve ekonomike, ose është më e fshehur dhe identifikohet më rrallë në artefaktet që prodhohen.